Ambasadat e para të Kosovës hapen gjatë tetorit
Faqja 1 e 1
Ambasadat e para të Kosovës hapen gjatë tetorit
Qeveria e Kosovës thotë se po bën përgatitjet që të fillojë me punën e ambasadave dhe misioneve të para diplomatike gjatë këtij muaji.
Zyrtarë të MPJ-së thonë se fillimisht këto misione do të nisin punën me staf të reduktuar.
Qeveria e Kosovës po bën përpjekje që brenda dhjetë ditësh të nisin punën ambasadat dhe misionet e para diplomatike. Diplomatët e parë kosovarë, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, do të dërgohen në këto misione edhe pse ende Kosova nuk i ka të përcaktuara objektet, të cilat do t'i shfrytëzojë si ambasada.
Kujtim Shala, këshilltar i ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, thotë se të dhjetë misionet e Kosovës, përveç Brukselit, do të nisin punën gjatë këtyre ditëve, qoftë nevoja edhe nëpër hotele. Një zgjidhje e tillë, sipas Kujtim Shalës, është e përkohshme.
"Deri më tani janë identifikuar disa objekte, por asnjëri prej tyre nuk është përzgjedhur, sepse për secilin prej tyre duhet të aplikohet procedura e prokurimit dhe ne do ta respektojmë atë. Ka vende që misionet e tyre i mbajnë edhe nëpër hotele, por ne nuk e kemi ndërmend që ta bëjmë këtë, por për fillim ashtu do të shkojë puna", thotë Kujtim Shala.
Ndërsa për dhjetë misionet e para diplomatike janë ndarë mjetet dhe pritet që ato të fillojnë punën, Ministria e Jashtme ka hartuar edhe një strategji për ambasadat që parashihen të hapen vitin tjetër.
Kujtim Shala thotë se në këto ambasada do të përfshihen edhe misionet diplomatike në republikat e ish-Federatës Jugosllave, përkatësisht edhe në vendet fqinje, Maqedoni e Mal të Zi.
"Për vendet e ish-Jugosllavisë, Ministria e Punëve të Jashtme e ka një strategji dhe me këtë strategji parashihet hapja e ambasadave në këto vende gjatë vitit 2009. Kemi pasur parasysh 10 – 12 misione të reja gjatë vitit 2009, kurse Malin e Zi, Kroacinë dhe Maqedoninë i kemi menduar me këtë pjesë shtesë të misioneve", deklaron Shala.
Shala nuk identifikon ndonjë vend të caktuar, ku mund të hapet ambasada e parë, duke i parë që të gjitha si prioritete dhe të rëndësishme njëlloj.
"Prioritete nuk kemi. Që të dhjetë ambasadat apo përfaqësitë diplomatike janë prioritet. Tash për tash, mund të ketë pak më shumë vonesa në Bruksel, për punë teknike – logjistike. E për të tjerat, varet, por nuk është punë të cilën e kemi plotësisht në duar vetëm ne", thekson Shala.
Qeveria i ka ndarë Ministrisë së Punëve të Jashtme një buxhet prej 25 milionë eurosh për blerjen e objekteve të ambasadave, përkatësisht misioneve diplomatike.
Shala thotë se Ministria e Jashtme i ka përfunduar specifikimet dhe i mbetet tani Komisionit Parlamentar për Buxhet e Financa që ta japë mendimin e vet.
Sipas një vendimi të presidentit të Kosovës, në konsultime edhe me qeverinë, për këtë vit, parashihet hapja e 10 ambasadave – misioneve diplomatike, ku bëjnë pjesë Uashingtoni, Brukseli, Londra, Parisi, Berlini, Roma, Berna, Vjena, Ankaraja dhe Tirana. Me qëllim të përshpejtimit të procedurave, për këtë misione janë përzgjedhur të ngarkuarit me punë dhe jo ambasadorët.
Similar topics
» Ischinger: Do të hapen bisedime të reja për statusin e Kosovës
» Së shpejti Kosova i hap ambasadat edhe në Podgoricë dhe Shkup
» 14 menyra per te jetuar me gjatë
» Menyra e ferkimit (mes-hut) te kokes gjate abdesit
» Munter: EULEX-i të vendoset gjatë javëve në vijim
» Së shpejti Kosova i hap ambasadat edhe në Podgoricë dhe Shkup
» 14 menyra per te jetuar me gjatë
» Menyra e ferkimit (mes-hut) te kokes gjate abdesit
» Munter: EULEX-i të vendoset gjatë javëve në vijim
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi