Rexhepi: Largimi i Galluccit, lajm i mirë
Faqja 1 e 1
Rexhepi: Largimi i Galluccit, lajm i mirë
Paralajmërimin e largimit të administratorit kontrovers të UNMIK-ut nga Mitrovica, Gerrard Gallucci, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, e ka vlerësuar një lajm të mirë, por që po ndodh me vonesë.
"Shpresojmë se pas largimit të tij, zyrtarët e tjerë të UNMIK-ut do të jenë më të përgjegjshëm në vendosjen e rendit dhe ligjit", ka thënë të hënën Rexhepi në takimin e rregullt të Komitetit për Siguri të komunës së Mitrovicës.
Ai tha se administratori rajonal i UNMIK-ut ka qenë ithtar i status-quos dhe pengesë për stabilizimin e gjendjes në veri. "Ai ka penguar projektet e rindërtimit dhe kthimit të të zhvendosurve në veri dhe për çdo gjë i ka njoftuar përfaqësuesit e strukturave paralele serbe".
Sipas Rexhepit, qëndrimi i Galluccit ndaj ngjarjeve të marsit kur janë sulmuar gjykatat dhe ishte vrarë një polic ndërkombëtar e ishin plagosur shumë policë e ushtarë të KFOR-it, ka qenë amnisti për ata që kanë kryer këto akte dhune.
Rexhepi theksoi se zyrtarët e UNMIK-ut duhet të ndihmojnë në vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë të vendit dhe të ndërprenë bashkëpunimin me strukturat paralele serbe që janë ilegale.
Përndryshe, Rexhepi tha se gjendja në komunë është e qetë dhe në relaksim e sipër.
Duke njoftuar për largimin e maunave me vaj disulfurik, që është bërë të dielën, Rexhepi shprehu kënaqësinë për largimin e atyre maunave që kishin shkaktuar shqetësim për banorët mitrovicas.
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi